logo-2994-333
Çfarë është shëndeti mendor dhe rëndësia e tij
Çfarë është shëndeti mendor dhe rëndësia e tij

Çfarë është shëndeti mendor dhe rëndësia e tij (ppt)

Shëndeti mendor është një aspekt thelbësor i mirëqenies sonë të përgjithshme dhe prek njerëzit e të gjitha moshave, duke përfshirë fëmijët dhe të rinjtë.

Sipas OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetësisë), shëndeti mendor është:

“Një gjendje mirëqenieje në të cilën individi realizon aftësitë e tij ose të saj, mund të përballojë streset normale të jetës, mund të punojë në mënyrë produktive dhe të frytshme dhe është në gjendje të japë një kontribut për komunitetin e tij”.

Pse është e rëndësishmë të flitet për shëndetin mendor?

  1. Kështu që njerëzit mos të vuajnë në heshtje.
  2. Që njerëzit të informohen
  3. Që të adresohet stigma e lidhur me shëndetin mendor.

Shëndeti mendor është i padukshëm, por me anë të kësaj broshure qëllimi është të të inkurajojmë të flasësh hapur për shëndetin tënd mendor.

Kjo broshurë është krijuar për të të  ndihmuar të kuptosh më mirë rëndësinë e shëndetit mendor, të njohësh shenjat e përkeqësimit të shëndetit mendor dhe të trajtosh stigmën dhe turpin që shpesh lidhen me çështjet e shëndetit mendor.

Statistika për shpërndarjen e çështjeve të shëndetit mendor

  • 1 në 4- njerëz në botë sipas OBSH përjetojnë një problem të shëndetit mendor çdo vit.
  • 676 milionë njerëz janë të prekur nga problemet e shëndetit mendor në mbarë botën.
  • 10% e fëmijëve të moshës shkollore kanë një çëhtje të shëndetit mendorë të diagnostikuar.
  • 75% e të rinjve me probleme të shëndetit mendor nuk trajtohen
  • 75% e çrregullimeve mendore fillojnë para moshës 18 vjeçare
  • 50%  problemeve të shëndetit mendor në jetën e të rriturve (duke përjashtuar demencën) zënë rrënjë para moshës 15 vjeçare.
  • Më shumë se 50% e të rinjve ndihen në turp për çrregullimet mendore
  • Për çdo person të prekur nga çrregullimet mendore, harxhohen vetëm 5 Euro  në kërkime shkencore (22 herë më pak se kanceri).

Shenja te përkeqësimit të shëndetit mendor

Njohja e shenjave të përkeqësimit të shëndetit mendor është hapi i parë drejt kërkimit të ndihmës dhe përmirësimit të mirëqenies suaj.

Disa shenja të zakonshme për t'u kujdesur përfshijnë:

Trishtim i vazhdueshëm: Të gjithë përjetojnë trishtim herë pas here në jetën e përditshme. Sidoqoftë një ndjenjë trishtimi apo pashpresshmërie që zgjat për një periudhë të gjatë, tregon një përkeqësim të shëndetit mendor.

Ankthi dhe shqetësimi: Vazhdimisht ndihesh i shqetësuar, i stresuar ose i mbingarkuar.

Ndryshimet në ciklet e gjumit: Vështirësi për të fjetur, zgjime gjatë natës ose për të fjetur tepër.

Ndryshimet e oreksit: Shtim ose humbje e konsiderueshme në peshë pa ndonjë shkak të dukshëm.

Izolimi: Tërheqja nga miqtë dhe familja ose shmangia e aktiviteteve shoqërore.

Irritimi: Të ndjerit lehtësisht i irrituar, zemëruar apo acarim.

Humbja e interesit: Humbja e interesit për gjërat që të pëlqenin më parë.

Simptomat fizike: Simptoma fizike të pashpjegueshme si dhimbje koke ose stomaku që nuk lidhen me sëmundje të caktuara fizike.

Abuzimi i substancave: Përdorimi i drogës ose alkoolit si një mënyrë për të përballuar dhe rregulluar emocione të caktuara.

Mendime për vetëdëmtim ose vetëvrasje: Nëse ti ose dikush që njeh po i përjeton këto mendime, është thelbësore të kërkosh ndihmë të menjëhershme.

Mos harro, përjetimi i një ose më shumë prej këtyre shenjave nuk do të thotë domosdoshmërisht se ke një çrregullim të shëndetit mendor, por është thelbësore që të kërkosh mbështetje nëse ato vazhdojnë.

Adresimi i Stigmës

Thyerja i stigmës: Stigma dhe turpi që rrethojnë çështjet e shëndetit mendor dhe mund të jenë pengesa më e rëndësishme për të kërkuar ndihmë. Është e rëndësishme të kuptojmë se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik. Ti me siguri nuk do të hezitoje të takoje një mjek nëse do kishe grip, atëherë pse të hezitosh të kërkosh ndihmë për shqetësimet e shëndetit mendor?

Fol për të: Fol për ndjenjat dhe përvojat e tua me miqtë e besuar dhe familjen. Duke folur në mënyrë të sinqertë për vështirësitë emocionale, ti ndihmon në thyerjen e stigmës dhe mund të inkurajosh të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Kërko ndihmë profesionale: Profesionistët e shëndetit mendor, si terapistët dhe psikologët e shkollës, janë të trajnuar për të ofruar udhëzime dhe mbështetje. Mos hezito që t’ju drejtohesh atyre nëse ke nevojë për ndihmë.

Eduko veten: Kërkon informacion dhe mëso rreth gjendjeve të ndryshme të shëndetit mendor për të kuptuar më mirë se çfarë mund të jesh duke përjetuar ti apo njerëz të rëndësishëm të tutë.

Promovimi i shëndetit të mirë mendor

Kujdesi për shëndetin tënd mendor është po aq i rëndësishëm sa kujdesi për shëndetin tënd fizik. Ashtu sikurse kujdesemi për shëndetin tonë fizik në përditshmëri, po kështu është e rëndësishme që të kujdesemi për shëndetin tonë mendor. Këtu janë disa mënyra për të promovuar një shëndet të mirë mendor:

Qëndro aktiv: Aktiviteti fizik mund të zvogëlojë stresin dhe të përmirësojë gjendjen shpirtërore. Gjej një aktivitet që të pëlqen dhe bëje atë pjesë të rregullt të rutinës tënde.

Ushqimi i shëndetshëm: Një dietë e ekuilibruar mund të kontribuojë në një shëndet më të mirë mendor. Ha sa më shumë fruta, perime dhe drithëra.

Fli mirë: Gjumi i mjaftueshëm dhe cilësor është thelbësor për shëndetin mendor. Mundohu të vendosësh një orar të rregullt të gjumit.

Menaxho stresin: Praktiko teknika relaksimi si frymëmarrja e thellë apo meditimi  për të menaxhuar stresin dhe ankthin. 

Ndërto një sistem mbështetës: Rrethoje veten me njerëz që kujdesen për ty dhe janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje emocionale.

Vendos objektiva realiste: Ndaj qëllimet tënde në hapa të menaxhueshëm dhe kujtohu gjithashtu të festosh për arritjet e tua.

Angazhohu me përkushtim në gjëra që janë të rëndësishme dhe kanë kuptim për ty.

Ji pranues/e dhe i/e sjellshëm me veten: Të metat dhe gabimet janë pjesë e natyrshme e qenies njerëzore dhe si rrjedhojë edhe e jona. Kur po kalon një moment të vështirë përpiqu të jesh po aq mbështetës dhe inkurajues me veten sa c’do ishe me një shok/ shoqe tënden.

Shërbimet

Nëse ti apo shokë/shoqe të tuat po përballeni me vështirësi të shëndetit mendorë, mos hezito të marrësh shërbime për të cilat ke nevojë dhe janë aty për ty. Për shërbime mund të kontaktoni:

  • Psikologu i shkollës;
  • Mjeku i familjes dhe qendrat e shëndetit mendorë pranë qytetit tuaj;
  • Linja e Këshillimit falas për fëmijë dhe të rinjë: 116 111;
  • Website falas dhe anonim:  nukjevetem.al

Shëndeti mendor është një pjesë thelbësore e mirëqenies së përgjithshme. Njohja e shenjave të përkeqësimit të shëndetit mendor, adresimi i stigmës dhe promovimi i zakoneve të mira të shëndetit mendor janë hapa thelbësorë për të mbajtur një shëndet të mië emocional. Mos ki frikë të kërkosh ndihmë kur ke nevojë dhe kujtohu se nuk je vetëm në udhëtimin tënd për një shëndet më të mirë mendor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Translate »